NËNA DHE MËSUESJA – Prof. Xhemi Hajredini

Na afrohen festat…


NËNA DHE MËSUESJA

Nga shtëpia në mësonjëtore,
shkojnë fëmijët dorë për dore,
nga një kujdestare te një tjetër,
mësojnë të shkruajnë mbi letër.

Besimplotë te nëna, shumë dashuri,
të ëmbël te mësuesja, plot fisnikëri.
Nëna e durueshme, e qeshur, e mirë,
mësuesja e qartë, e qetë, e dëlirë.

Detyrat e klasës me mësuesen si zana,
n’ato të shtëpisë, përfshihet dhe nëna.
Shkruajnë, ngjyrosin, flasin dhe këndojnë,
valle fëmijësh dëgjojnë e vallëzojnë.

Ecin fëmijët si barka mbi liqen,
duan natyrën, gjithçka u pëlqen.
Emra, folje, fjalë, për bukuri,
tani dinë të thurin pareshtur fjali.

Lum si ne, me mësuese dhe nëna,
që na japin dritë ashtu si hëna.
Gëzuar festat, shëndet dhe jetë,
admirim e mirënjohje, përjetë!

© Xhemi Hajredini
Strugë, 10 shkurt 2020