Tingullimitimet – Prof. Xhemi Hajredini

Një vjershë për fëmijë.
Unë ia kam dedikuar Arlës, mbesës sime 4-vjeçare 😅

Tingullimitimet

Tingullimitimet fjalë,
po i mësojmë ngadalë,
ciu-ciu-ciu cicërojmë,
e si zogjtë këndojmë.

Mjaullin maçoku,
mjau-mjau, kush më ngau?
Ishte miu bishtgjati,
fërkoi bishtin, veshët zgjati.

Ham-ham qeni te oborri,
dilni se erdhi doktori!
Mu-mu nga quari lopa,
të vi këtu se më dhemb koka!

Gajasemi së qeshuri
me tingullimitimet,
se nuk ua dimë të gjithave,
kuptimet dhe shqiptimet.

Imitojmë kafshët,
kërcejmë edhe pupthi,
disa fëmijë tutje
po luajnë bufthi.

Ga-ga-ga e ham-ham-ham,
ikim t’lahemi në hamam!
Unë nuk lahem, qejf nuk kam,
ju si të doni, bëni bam!

©Xhemi Hajredini
Strugë, 30 janar 2020